
Ndeshja kryesore e javës së tretë në Serie A, e zhvilluar të shtunën mbrëma në Stadio Olimpico të Romës, ndërmjet Lazios dhe Juventusit, ka përfunduar me fitoren e Zonjës së Vjetër me rezultat 2-0.
Lazio u tregua kundërshtar i vështirë përballë Bianconerëve, madje në momente të caktuara vuri në vështirësi mysafirët nga Torino.
Mirëpo, bardhezinjtë arritën që në njëzet minutat e fundit të takimit të shënojnë dy herë dhe të nxjerrin tri pikë të plota nga kjo përballje.
Mbrojtësi Martin Caceres, shfaqi një lojë të shkëlqyer me fanellën bardhezi duke shënuar golin e parë dhe vendimtar në ndeshje, i cili ia dha epërsinë skuadrës mysafire (72’).
Në minutat shtesë të ndeshjes (90’+4), pas tentimit të Amaurit, topi shkoi te David Trezeguet, i cili shënoi golin e dytë që fundosi shpresat e Lazios për barazim.
Në këtë ndeshje, Juventusit iu lënduan dy transferimet e sivjetme, Diego (44’) dhe Fabio Grosso (87’), të cilët u zëvendësuan me Sebastian Giovincon dhe Cristian Molinaron.
Nuk ka komente:
Posto një koment